Hezbollahu e sulmon Izraelin në njëvjetorin e luftës në Gazë

Hezbollahu e sulmoi me raketa qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa, tha policia izraelite të hënën. Ndërkohë, mediat izraelite raportuan se 10 njerëz u plagosën në veri të vendit nga sulmet në përvjetorin e parë të luftës në Rripin e Gazës, e cila është përhapur në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu, një aleati Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili po e lufton Izraelin në Gazë – tha se e sulmoi një bazë ushtarake në jug të Haifës me një breshëri raketash “Fadi 1”.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Mediat izraelite thanë se dy raketa ranë në bregdetin mesdhetar të Haifës, ndërsa pesë të tjera goditën Tiberiasin, rreth 65 kilometra larg.

Policia tha se disa ndërtesa dhe prona janë dëmtuar dhe se u raportua për disa të plagosur lehtë.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë goditën objektiva që i përkisnin Selisë së Inteligjencës së Hezbollahut në Bejrut, përfshirë mjete për grumbullimin e informatave, qendra komanduese dhe infrastruktura të tjera.

Ushtria izraelite tha se në orët e fundit i bombardoi depot e armëve të Hezbollahut në zonën e Bejrutit.

Sulmet ajrore goditën gjithashtu objektiva të Hezbollahut në Libanin e Jugut dhe zonën e Bekës, tha ushtria.

Izraeli e fajësoi Hezbollahun se qëllimisht i ka vendosur qendrat e komandës dhe ka fshehur armatimin nën ndërtesat e banimit në zemër të Bejrutit, duke rrezikuar popullsinë civile.

Të hënën, izraelitët shënuan përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës që Hamasi e kreu në jug të Izraelit. Ai sulm shkaktoi një luftë e cila ka nxitur protesta në mbarë botën dhe rrezikon të ndezë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ceremonitë dhe protestat në Jerusalem dhe në jug të Izraelit u planifikuan të fillonin rreth orës 6:29 të mëngjesit, në momentin kur militantët e udhëhequr nga Hamasi nisën raketa drejt Izraelit në fillim të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Militantët i vranë afro 1.200 njerëz dhe i rrëmbyer rreth 250 pengje, sipas autoriteteve izraelite./indeksonline/

Read Previous

​Humbja e dy penalltive, Fonseca reagon ashpër: S’duhet të ndodh kurrë më

Read Next

Shkruhet historia në NBA: LeBron luan ndeshje zyrtare me djalin e tij Bronny si bashkëlojtar te Lakers