Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Ekonomisë, Muharrem Nitaj sot kanë vizituar ndërmarrjen Trepçën, ku nga Bordi dhe menaxhmenti i saj janë informuar për gjendjen aktuale dhe problemet me të cilat po përballen.
Hoti dhe Nitaj kërkuan nga menaxhmenti i Trepçës hartimin e një plani të detajuar biznesi, për tejkalimin e krizës dhe premtuan se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të shikojë të gjitha mundësitë ta mbështesë Trepçën në kapërcimin e situatës së krijuar nga borxhet e akumuluara ndër vite.
Ministri Nitaj tha se Trepça duhet që brenda një afati të shkurtër të shndërrohet në një ndërmarrje profitabile dhe të mos jetë më barrë e ministrisë.
“Trepça nuk është në ditët e saja më të mira. Në dy-tre muajt e fundit ka pasur lëvizje pozitive, për të parën herë ka arritur që me të hyrat e veta t’i sigurojë pagat e punëtorëve, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme. Trepça duhet t’i gjejë mundësitë të qëndrojë në këmbët e veta dhe jo të jetë barrë e shtetit”, tha Nitaj / Kosova Press