Hyrja në NATO është e vetmja garanci afatgjatë për Ukrainën

Anëtarësimi në NATO është e vetmja garanci e besueshme afatgjatë për Ukrainën, ka deklaruar të mërkurën për Reutets, ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.

Teksa kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar ka ndezur shpresën për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë, ai gjithashtu ka ngritur shqetësime në Kiev për një marrëveshje të mundshme paqeje që vjen me lëshime të mëdha ndaj Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar nevojën për garanci të forta sigurie nga aleatët për të parandaluar rigrupimin e Rusisë për një sulm tjetër.  

“Në afat të gjatë, garancia e vetme e besueshme e sigurisë është neni 5 i Traktatit të Washingtonit, pra anëtarësimi në NATO”, ka deklaruar Valtonen në intervistën gjatë vizitës së saj në Kiev, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes kolektive të aleancës. 

Ukraina ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që të marrë ofertë për t’u bashkuar me NATO-n, por rezistenca nga shtetet anëtare më të rëndësishme vazhdon, ndërsa lufta gjithëpërfshirëse i afrohet hyrjes në vitin e katërt, ndërkohë që forcat ukrainase vazhdojnë të përballen me sfida në zmbrapsjen e ofensivave ruse.

Trumpi, i cili ka shprehur skepticizëm për ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, ka thënë të martën se ai simpatizon qëndrimin e Rusisë kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ndihmësit dhe aleatët e tij e shohin anëtarësimin e Ukrainës në NATO si një provokim të mundshëm ndaj Moskës. Ai gjithashtu akuzoi presidentin demokrat në largim, Joe Biden për ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së për perspektivat e Ukrainës në NATO.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Valtonen thotë se një administratë Trump nuk do të prishte domosdoshmërisht aspiratat e Ukrainës në NATO. 

“Tre vjet më parë askush nuk mendonte se Finlanda do të bashkohej me NATO-n, apo Suedia. Kështu që ja ku jemi, nuk e dini kurrë”, është shprehur ajo. 

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,336 km me Rusinë, u bashkua me NATO-n në vitin 2023 pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska. Suedia u bë anëtare në fillim të vitit 2024./koha.net/

Read Previous

Interi përgatit ofertën e janarit për yllin e Arsenalit

Read Next

Shkupi ende mbetet qyteti më i ndotur në Evropë