Federata e Boksit e Kosovës ka njoftuar në lidhje me zhvillimet e fundit të pjesëmarrjes së boksierëve në Kampionatin Botëror të boksit, që prej 1 maj – 14 maj 2023, mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.
Siç bën të ditur federata kosovare pas moslëshimit të vizave nga Uzbekistani, ka reaguar IBA, (Federata Ndërkombëtare e Boksit”, e cila ka kontaktuar me Komitetin Olimpik të Uzbeksitanit për mundësimin e vizave për boksierët kosovarë.
Por pavarësisht kësaj, Federata e Boksit e Kosovës vlerëson se tani është vonë të udhëtojnë drejt Uzbekistanit dhe nuk do të marrin fare pjesë në këtë kampionat.
“Përkundër tentimeve të vazhdueshme për të marrë vizën nga shteti i Uzbekistanit, që nuk e njeh Kosovën, edhe pse na ishte premtuar ‘drita e gjelbërt’, për të na u mundësuar marrja e vizave, deri dje (29 prill) nuk na u dha asnjë arsyetim, as nga organizatori, e as nga IBA, ku kemi qenë gjithnjë në kontakt me ta dhe na është premtuar se nuk do të kemi problem”, thuhet në njoftim.
“Një sinjal pozitiv, por i vonshëm, erdhi mbrëmë, në orët e vona, ku zyra e IBA-s në Lozanë të Zvicrës, komunikon me sekretarin e FBoxK-së, Latif Demolli, me ç’rast na u tha se IBA ka kontaktuar me Komitetin Olimpik të Uzbekistanit, dhe gjithçka është rregulluar sa i përket vizave, ku na kërkohet të nxjerrim biletat për udhëtim”.
“Mirëpo, përkundër gatishmërisë së ekipit tonë që të udhëtojmë sot drejt Uzbekistanit, edhe pse me vonesë, pasi arritja jonë do të bëhej pas tërheqjes së shortit, të paraparë për 1 maj, ngase itinerari i biletave nuk mundësonte arritjen tonë më herët se sa pasditja e 1 majit”.
“Andaj, duke parë këto sfida të udhëtimit dhe arritjes me vonesë, por edhe mos konfirmimi me shkresë se do të na jepen vizat dhe do të na lejohet pjesëmarrja me të drejta të barabarta, në koordinim me kryetarin e FBoxK-së, Enver Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Latif Demolli, përzgjedhësin, Besim Brahimi, sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, njoftuam zëvendësministren e Sportit, Daulina Osmani, dhe vendosëm të mos udhëtojmë, pasi nuk mundemi të arrijmë me kohë në gara”.
/KlanKosova/