Inter arriti një fitore me “poker” ndaj Lecce dhe një nga protagonistët e këtij suksesi ishte Davide Frattesi. Mesfushori realizoi golin e parë te skuadrëz zikaltër në një moment delikat për të, teksa flitet për një lamtumirë të mundshme në merkaton e janarit.
“Unë u them tifozëve se jam shumë i lumtur që qëndroj këtu. Tek Inter janë të gjithë një familje dhe unë përpiqem t’i shpërblej sit të mundem. Ndonjëherë gjërat shkojnë mirë, ndonjëherë më pak, por unë jam i lumtur këtu. Për mua ishte një muaj i komplikuar, le të shpresojmë që e ardhmja të mbajë emocione si vitin e kaluar”, tha Frattesi.
Frattesi mori levdata edhe nga trajneri Simone Inzaghi: “Vitin e kaluar Frattesi dhe Carlos Augusto ishin sekreti i “yllit të dytë”. E vërteta është se ne kemi një grup të madh. Marrëdhënia me Davide është e shkëlqyer. Vjet ai ishte vendimtar për kampionatin. Së fundi pati një problem të vogël fizik, por ia doli mirë si në Pragë, kur hyri në lojë, ashtu edhe këtë mbrëmje ndaj Lecce”.
Ndërsa kapiteni Lautaro Martinez shtoi: “Për ne ai është thelbësor, kur aktivizohet ai përgjigjet gjithmonë gati. Unë i flas shpesh, e dua. Ata që luajnë duhet të ndjejnë presionin e atyre që duan të luajnë më shumë dhe ata që luajnë më pak duhet të japin gjithshka për t’u përmirësuar”. /Telesport.al/