Investimet e shteteve të rajonit në fuqinë ushtarake

Rrethanat gjeopolitike në botë kanë bërë që rritja e buxhetit për çështje ushtarake në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë e pashmangshme. 

Këto zhvillime pasqyrojnë një realitet të ri sigurie, ku vendet e Ballkanit po përgatiten për të përballuar sfida të mundshme.

Derisa Kosova, Shqipëria, Kroaci, kanë rritur shpenzimet për mbrojtje, Serbia qysh prej kohës ka filluar që të investojë ndjeshëm në fushën e mbrojtjes.

Ekspertët e sigurisë i shohin investimet në fushën e mbrojtjes si një domosdoshmëri strategjike, duke pasur parasysh tensionet rajonale dhe paqëndrueshmërinë globale.

Si rezultat i rrethanave gjeopolitike në përgjithësi por edhe rreziku nga Serbia në veçanti, ka bërë që edhe Kosova viteve të fundit të investojë më shumë në fushën e mbrojtjes.

Buxheti i Kosovës për mbrojtje viteve të fundit është rritur nga viti në vit. Në vitin 2021 janë investuar 69 milionë euro, në 2022, 97 milionë euro, 2023, 116.4 milionë euro dhe në vitin 2024 janë investuar 153 milionë euro. Ndërsa në vitin 2025, është rritur buxheti për ushtrinë e Kosovës, në 208 e milionë euro.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar buxhet mbi 1 miliardë në fushën e mbrojtjes për 4 vitet e ardhshme.

Serbia është ajo e cila nga vendet e rajonit ka investuar më së shumti për ushtrinë, duke ndarë për vitin 2025, 2,2 miliardë në fushën e mbrojtjes, krahasuar me vitin 2021 që kishte 1.5 miliardë.

Edhe Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes për vitin 2025, ku janë paraparë buxhet prej 526 milionë eurove, krahasuar me vitin 2021, që ishte 270 milionë euro.

Ndërsa, as Kroacia nuk qëndron anash, buxheti i këtij shteti për vitin 2025, në fushën e mbrojtjes kap shifrën rreth 1 miliardë euro. Gjithashtu, vendet e tjera të rajonit si Maqedonia dhe Mali i Zi, kanë rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Buxheti Maqedonisë për fushën e mbrojtjes në vitin 2024, ishte 329 milionë, prej të cilave 106 milionë ishin për blerjen e pajisjeve të reja dhe modernizimin e ushtrisë, ndërsa, Mali i Zi për vitin 2024, ka ndarë 150 milionë euro.

Gurakuç Kuçi nga instituti Octopus, thotë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, kërkesa për riarmatim është e madhe nga shtetet, por se në rajonin tonë, dallojnë arsyet pse shtetet armatosen. Ai thekson se vendet si Kosova, Shqipëria, Kroacia, armatosen zakonisht vetëm për çështjen e mbrojtjes së vendit të tyre, ndërsa vendet si Serbia armatoset dhe kanë qëllime për shtrirje të ekspansionizmit të tyre, duke synuar realizmin e botës serbe.

“Kërkesat për riarmatim e vendeve në nivel global është jashtëzakonisht shumë e madhe. Kjo ka filluar sidomos prej fillimit të luftës në Ukrainë. Edhe Ballkani Perëndimor është pjesë e kësaj, ku duhet t’i ndjek hapat e vetë, dhe të kërkoj sigurinë e vetë. Disa vende kërkojnë sigurinë disa kërkojnë agresionin. Nuk jemi në numra të barabartë dhe kërkesa të barabarta. Në këtë rast vendet si Kosova, Kroacia, Shqipëria por edhe Mali i Zi, Maqedonia, zakonisht e kërkojnë vetëm çështjen e mbrojtjes. Ndërsa, vendet si Serbia armatimin e shohin si një tendencë të qëllimte të tyre për shtrirjen ekspansioniste për realizimin e botës serbe. Me këtë format, Serbia nuk e ka të re armatosjen e tyre, ata çështjen e riarmatosjes së shtetit të tyre e kanë filluar që nga forcimi i pushtetit të Vuçiçit në vitin 2012 por edhe më herët… kështu automatikisht i ka nxitur edhe fqinjët që duhet të mbrohen sepse kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme të Serbisë, sidomos ndaj Kosovës dhe Bosnjës”, theksoi Gurakuçi.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se me ndryshimet gjeopolitike në botë, është një rend i ri botëror në zhvillimin e sipër, ku rreziqet janë evidente dhe se strategjikisht është e drejtë nga shtetet e rajonit që po armatosen.

“Kemi një rirreshtim të fuqive të reja, botërore qoftë ato ekonomike, qoftë ushtarake. Kemi një rend të ri botëror në zhvillim e sipër, dhe në këto ndryshime farufurite gjeopolitike, rreziqet janë evidente, dhe legjitime do të thosha strategjikisht e drejt dhe me vend e me mend çdo qeveri që të armatoset sepse nuk ka asnjë mekanizëm e asnjë instrument sigurie, madje as NATO, për anëtarët e vetë nuk është mekanizëm sigurie, as Bashkimi Evropian që ka nda mjete për armatim kësaj radhe, që ka pretenduar që ta bëj ushtrinë e saj, nuk është asnjë ambient sigurie”, tha ai.

E njohësi i çështjeve të sigurisë, Lutfi Billalli, thotë për KosovaPress, se ndryshimet gjeopolitike dhe gjeostrategjike që po ndodhin në botë, kanë bërë që shtetet e rajonit të i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke hyrë në një garë të armatimeve.

“Me ndryshimet gjeopolitike në botë dhe gjeostrategjike sot në botë, mund të them në një situatë të tensionuar jo vetëm në regjion, momentalisht mund të themi se kemi divergjenca, të cilat mund të shkaktojnë plasaritje dhe mund të vijë deri te konfliktet eventuale, por bota, lufta në Ukrainë, në lindje të mesme, mendoj që të gjitha këto kanë shkaktuar pasoja që vendet e regjionit të mbajnë garime për garë të armatimeve. Mendoj që buxhetet e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një ngritje të buxheteve të secilit shtet mund të them. Fatkeqësisht, Serbia prinë me buxhetin më të madh që ka për forcat e armatosura, edhe shtetet tjera duhet, sidomos Kosova dhe Shqipëria në këtë drejtim, kanë bërë hapa në ngritjen e këtyre limiteve”, potencoi Bilalli.

Përndryshe, CNN shkruar se qortimi publik që Donald Trump ia bëri presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë ishte si një rrufe për aleancën transatlantike, duke shpërndarë iluzionet e mbetura në Europë mbi atë nëse SHBA do të qëndrojë në krah të saj përballë agresionit rus.

E tronditur dhe ndoshta edhe e frikësuar, Europa më në fund mund të ketë ardhur në vete për nevojat e saj të mbrojtjes në epokën e Trumpit.

Kontinenti ka filluar të thyejë tabu dhjetëra vjeçare në çështjet e mbrojtjes. Po diskutohen politika që deri para pak javësh do të ishin të paimagjinueshme.

Ndryshimi më i madh ka ardhur nga Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës. Pas zgjedhjeve federale, kancelari në pritje, Friedrich Merz, fitoi një votim në parlament për ta hequr “frenimin e borxhit” nga kushtetuta gjermane – një mekanizëm që kufizonte huamarrjen e qeverisë.

Në Francën fqinje, Presidenti Emmanuel Macron – i cili prej kohësh ka kërkuar autonomi strategjike europiane nga SHBA-ja – ka thënë se po e shqyrton mundësinë e shtrirjes së mbrojtjes bërthamore franceze tek aleatët e saj, të cilët aktualisht mbështeten në armët bërthamore amerikane.

CNN shkruan se edhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak po rikthehet në kontinent e se edhe vendet tradicionalisht neutrale po rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.

Kurse, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi një plan për shpenzime miliardëshe për mbrojtjen, të quajtur fillimisht “ReArm Europe”, Spanja dhe Italia kundërshtuan. Plani tani është riemërtuar “Readiness 2030”./kp

Read Previous

Si i përcaktoi SHBA-ja tarifat?

Read Next

Komiteti Olimpik i Kosovës reagon pas heqjes së flamurit të Kosovës në Kongresin e UEFA