Teherani do të “përdorë të gjitha mjetet e disponueshme” për t’iu përgjigjur sulmit të fundjavës së Izraelit ndaj objektivave ushtarake në Iran, ka thënë të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei.
Irani fillimisht e zvogëloi sulmin ajror të Izraelit të shtunën, duke thënë se ai shkaktoi vetëm dëme të kufizuara, ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden bëri thirrje për ndalimin e përshkallëzimit që ka ngritur frikën për një luftë të plotë në Lindjen e Mesme, raporton Reuters.
“Irani do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të dhënë një përgjigje të caktuar dhe efektive ndaj regjimit sionist (Izraelit)”, ka thënë Baghaei duke folur në një konferencë javore televizive.
Natyra e përgjigjes së Iranit varet nga natyra e sulmit izraelit, ka shtuar Baghaei, pa dhënë detaje.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të dielën se zyrtarët iranianë duhet të përcaktojnë mënyrën më të mirë për t’i demonstruar fuqinë e Iranit ndaj Izraelit, duke shtuar se sulmi i Izraelite “as nuk duhet të nënvlerësohet dhe as të ekzagjerohet”.
Dhjetëra avionë izraelitë përfunduan tri valë sulmesh para agimit të së shtunës kundër fabrikave të raketave dhe vendeve të tjera pranë Teheranit dhe në Iranin perëndimor, ka bërë të ditur ushtria izraelite.
Armiqtë e armatosur rëndë janë përfshirë në një cikël veprimesh hakmarrëse kundër njëri-tjetrit për muaj të tërë, teksa sulmi i së shtunës që erdhi pas një breshërie raketore iraniane më 1 tetor, shumica e të cilave Izraeli tha se janë rrëzuar nga mbrojtja e tij ajrore.
Irani mbështet Hezbollahun, i cili është i përfshirë në luftime të ashpra me forcat izraelite në Liban, dhe gjithashtu grupin militant palestinez Hamas, i cili po lufton Izraelin në Rripin e Gazës./Koha.net