Kallas javën tjetër viziton Ballkanin Perëndimor

Më 7 deri më 9 prill, Kaja Kallas do të realizojë vizitën e saj të parë si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, kryediplomatja estoneze, nuk ka përfshirë në agjendën e saj Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Arsyet për një vendim të tillë nuk janë bërë të qarta.

Turin e saj Ballkanik, Kallas do ta nis nga Mali i Zi. Në Podgoricë ajo do ta takojë presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

Në Shqipëri, Kallas do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo në Tiranë do të zhvillojë takime edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.

“Ajo do të hapë së bashku me Ministrat Hasani dhe Vengu Dialogun e Parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen BE-Shqipëri. Gjithashtu, ajo do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit dhe kredisë të Bankës Evropiane të Investimeve për zhvillimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do t’u drejtohet gjithashtu studentëve universitarë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile”, thuhet në komunikatën për media.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallas do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës. Ajo do të takohet gjithashtu me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo, dhe ministrin e Jashtëm, Elmedin Konakoviç.

Kallas, ditë më parë, vlerësoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur, meqë palët “po ankohen për njëra-tjetrën”.

“Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane”, tha ajo për Radio Evropën e Lirë.

Unioni, sipas Kallas, është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, ka shtuar ajo./Albanianpost.com

Read Previous

Protesta masive në SHBA kundër Trump e Musk

Read Next

Tubimi në mbështetje të Marine Le Pen organizohet në Paris