Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur të mërkurën se do të kërkojë votën e besimit më 16 dhjetor, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në shkurt.
Ai i ka bërë të ditura planet e tij gjatë një fjalimi në parlament, një javë pasi koalicioni i tij qeverisës tri-partiak është shembur, raporton AP.
Gjermania është udhëhequr që nga viti 2021 nga një koalicion i udhëhequr nga Social-Demokratët e majtë të Scholzit dhe përfshinte edhe partitë “Demokratët e Lirë” dhe “Të Gjelbrit”.
Aleanca u shemb javën e kaluar kur Scholzi shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner të “Demokratëve të Lirë”, një lëvizje që ndodhi si pasojë e mosmarrëveshjeve se si të ringjallet ekonomia në tkurrje.
“Data në fund të shkurtit tani është caktuar dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë”, ka deklaruar Scholzi, duke shtuar se ai do të përpiqet të kalojë legjislacion të rëndësishëm përmes parlamentit përpara kësaj.
Ai ka thënë se do të paraqiste një kërkesë për një votëbesim më 11 dhjetor, në mënyrë që Bundestagu të vendosë për këtë më 16 dhjetor.
Kancelari fillimisht kishte dashur që të kishte zgjedhje të parakohshme vetëm në fund të marsit, përpara votimit që rregullisht do të duhej të ndodhte në shtator të vitit 2025. /KOHA.net/