Kapen mallra kontrabandë në Portin e Durrësit

Dy raste të kalimit të kontrabandës dhe të parave në mënyrë të jashtëligjshme janë goditur në Portin e Durrësit, siç ka bërë me dije vetë Policia e Shtetit përmes një njoftimi për shtyp.

Në një autobus u gjetën 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, ndërsa në një automjet u gjetën 20 mijë euro.

Për këto raste është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm të produkteve dhe shërbimeve, si dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit kanë konstatuar dhe goditur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, një rast të tentativës për të kontrabanduar produkte për të cilat paguhet akcizë dhe një rast të mosdeklarimit të të hollave. Konkretisht, për këto raste:

-u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 36 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. G., 55 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga kontrolli në autobusin në pronësi të drejtuesit 36-vjeçar, që kishte drejtues të dytë alternativ, shtetasin I. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, të dyshuara të kontrabanduara;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit A. R., 50 vjeç dhe E. H., 35 vjeç, të dy banues në Durrës.

Nga kontrolli në automjetin fuoristrade tip “Nissan” që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer 35-vjeçari, në një hapësirë të përshtatur nën kroskot, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 20 mijë euro të padeklaruara konform ligjeve në fuqi. Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Borrell: UNWRA është e pazëvendësueshme, operacionet izraelite janë të dhunshme

Read Next

Gjendet pa shenja jete një grua