Kërkesa të mëdha për zhvillimin e parqeve fotovoltaike në Shqipëri

Në Shqipëri është vërejtur një interes i shtuar, sa i takon investimeve për parqe fotovoltaike në vend, ku projektet e fundit të propozuara vihet re se kanë të bëjnë me struktura me kapacitet të lartë prodhimi.

Kështu është bërë me dije nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes një publikimi në faqen e tyre në rrjet, ku përshkruhet se tetë aplikime kanë mbërritur për zhvillimin e projekteve, të cilat synohet të zbatohen nga kompani të ndryshme. Në total, ato synojnë të kapin një kapacitet të instaluar prej 441 megaWatt-ësh.

Projektet kryesisht kanë të bëjnë me kompani, të cilat operojnë një sektorë edhe përtej atij të energjisë dhe të cilat investimin në fotovoltaikë e shohin si formë diversifikimi të veprimit të tyre.

Rajonet ku projektet pritet të zhvillohen janë të ndryshëm.

I pari, është kërkuar nga kompania “TEKNO FIRE” dhe synon të ndërtojë një impiant me kapacitet total 102 megaWatt dhe i cili nuk kërkon të përfitojë nga masat mbështetëse të Qeverisë shqiptare. Zona e planifikuar e investimit është ajo e Mbreshtanit në Korçë.

Një tjetër kompani është EZ-5 Energy, e cila ka kërkuar të investojë për një impiant 30 megaWatt në Povelçë në Fier. Kjo zonë ka parë edhe investime të tjera fotovoltaike të përqendruara aty dhe gjendet pranë atij të parkut të Karavastasë.

POWER ENERGY është një tjetër kompani, e cila kërkon të investojë në Povelçë me një impiant 25 megaWatt.

ALBANIA SOLAR POWER ka kërkuar të investojë në zonën e Levanit, në Boçovë, me një impiant 82 megaWatt.

Projekti më i madh ndërkohë pritet të jetë ai i GREENCELLS RENEWABLE ALBANIA, që ka paraqitur një projekt të madh për impiant 117 megaWatt kapacitet dhe zhvillimi, nëse miratohet, do të jetë në një zonë të Dibrës.

KRONOS KONSTRUKSION është një tjetër kompani që ka aplikuar dhe që synon të zhvillojë në Vërnik të Devollit një projekt me kapacitet 50megaWatt.

Teksa, VERBUND GREEN POWER ALBANIA, ka aplikuar për një projekt të ri në zonën e Darzezës, për kapacitet 25.5 megaWatt dhe SUMMERSUN një tjetër në Korçë me kapacitet më modest, 10 megaWatt.

Për t’u theksuar është fakti se asnjë prej projekteve nuk përfiton nga mbështetja e Qeverisë përmes koncensioneve dhe kësisoj, nëse ato përfitojnë të drejtën për t’u ndërtuar, energjinë do të kenë mundësinë ta sheshin përmes tregut të lirë. /Albanianpost.com

Read Previous

Policia kërkon ndihmë në identifikimin dhe lokalizimin e një të dyshuari për falsifikim parash

Read Next

Shkatërrime të mëdha nga cikloni Chido