KESCO: Kujdes si e përdorni energjinë elekrike, ta kursejmë atë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë se Kosova po përballet me një situatë sfiduese në sektorin e energjisë elektrike, sipas tyre, kërkesa për konsum po arrin nivele rekorde pothuajse çdo ditë.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se kapacitetet vendore të prodhimit vazhdojnë të mbeten të kufizuara dhe të ulëta.

“Aktualisht, ndërsa konsumi arrin mbi 700 MW, furnizimi nga burimet vendore përbëhet nga rreth 315 MW nga termocentralet me qymyr dhe rreth 130 MW nga burimet e energjisë rinovueshme (BRRE), çka është dukshëm më pak sesa nevojat e përditshme për energji elektrike”.

“Si pasojë, një pjesë e konsiderueshme e konsumit po mbulohet përmes importit nga tregjet ndërkombëtare, në një kohë kur çmimet janë të larta dhe të paqëndrueshme. Kjo situatë po krijon sfida shtesë për sistemin energjetik, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e kostove të operimit dhe menaxhimit të tij”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, bëhet thirrje për kujdes të përdorimit të energjisë elektrike dhe kursim të saj.

“Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vetëdije në përdorimin e energjisë elektrike dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në kursimin e saj. Çdo kilovat i kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe në përballimin më të lehtë të kësaj periudhe sfiduese”.

“Rekomandojmë që përdorimi i pajisjeve me konsum të lartë energjie – veçanërisht gjatë orëve të pikut – të bëhet me kujdes të shtuar dhe vetëm kur është e domosdoshme”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv

Read Previous

Albulena Haxhiu: Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje

Read Next

Cakolli: Kësaj here ndërprerja e seancës konstituive u karakterizua nga një shkelje tjetër