KF “Vëllaznimi” arriti një fitore të madhe me rezultat 2-1 kundër FC “Liria” në derbin e Dukagjinit, ndeshje e vlefshme për javën e shtatë të Raiffeisen Ligës së Parë. Përballja u zhvillua në Stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë dhe solli një përmbysje dramatike nga ekipi gjakovar.
Liria kaloi e para në avantazh në minutën e 37-të, duke e vendosur Vëllaznimin nën presion. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan shpejt dhe barazuan rezultatin vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 41-të, falë golit të Nikson Memaj, duke rihapur plotësisht ndeshjen për pjesën e dytë.
Në pjesën e dytë, KF “Vëllaznimi” mori kontrollin e lojës dhe arriti të shënojë golin vendimtar në minutën e 58-të me anë të Altin Vojvodës. Ky gol vulosi fitoren për Vëllaznimin dhe siguroi tri pikë të rëndësishme në garën për pozitat e larta në tabelën e Ligës së Parë.
Me këtë fitore, Vëllaznimi jo vetëm që tregoi forcën e tij në derbi, por gjithashtu ruan ambiciet për një ngjitje të suksesshme në Superligë. /tvsyrivision/
KF “Vëllaznimi” fiton derbin e Dukagjinit