Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në një vjetorin e trazirave në veriun e trazuar të territorit, ku serbët lokalë u ngritën në rezistencë të dhunshme në përpjekje për të ndalur aksionin e Policisë së Kosovës për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë qasjen në objektet komunale në këtë zonë, nderoi shërbimin dhe sakrificën e ushtarëve të misionit paqeruajtës.
Rreth 100 paqeruajtës të KFOR-it u plagosën në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit, në përleshjet që shpërthyen më 29 maj. E në njëvjetorin e sulmit ndaj ushtarëve të NATO-s, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, theksoi se guximi i ushtarëve ndihmoi në stabilizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë… Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, deklaroi Ulutash në një deklaratë për shtyp të mërkurën në mëngjes.
Përderisa s’mund të zbuten e as të fshihen sekuencat e fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it, sulmet e fyerjet ndaj gazetarëve kosovarë dhe simbolet nacionaliste serbe e parullat ushtarake të propagandës ruse, misioni paqeruajtës kërkoi që autorët e sulmit brutal ndaj KFOR-it duhet të mbahen përgjegjës.
Pas shpërthimit të dhunës në maj të vitit të kaluar, aleatët e NATO-s dislokuan rreth 1 mijë forca rezervë për misionin e KFOR-it – prezenca më e madhe në dhjetë vitet e fundit. Gjithashtu, misioni i KFOR-it trefishoi numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.
“Ne kemi rritur prezencën e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen”, deklaroi Ulutash.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë, zëmërimi i të cilëve shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it. /Albanianpost.com