Duket se Kina në heshtje ka hequr tarifat ndëshkuese prej 125 për qind për disa gjysmëpërçues të prodhuar në SHBA, sipas detajeve të ofruara për CNN-in nga tre agjenci importi në qendrën teknologjike jugore të Shenzhenit.
Përjashtimet kanë të bëjnë me qarqet e integruara, të njohura gjithashtu si mikroçipa apo gjysmëpërçues, sipas agjencive të importit.
Më 12 prill, Kina ngriti tarifat e saj reciproke në 125 për qind për të gjitha mallrat me origjinë nga SHBA, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të rritur tarifat mbi mallrat kineze në një nivel të pabesueshëm prej 145 për qind.
Prej muajsh, Pekini po projekton një imazh fuqie dhe besimi në aftësinë e tij për të përballuar luftën tregtare në përshkallëzim me SHBA-në, por këto përjashtime sugjerojnë se është e nevojshme të hiqen disa tarifa për artikujt kyç që Kina nuk mund t’i prodhojë vetë apo t’i sigurojë nga vende të tjera.
Autoritetet kineze nuk e kanë konfirmuar publikisht përjashtimin. Administrata e Përgjithshme e Doganave dhe zyra doganore në Shenzhen thanë se nuk kishin dijeni për përjashtimin.
Një zyrtar kinez deklaroi se nuk ka pasur negociata tregtare me SHBA-në, pavarësisht sugjerimeve të administratës Trump për të kundërtën.
Lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë po përshkallëzohet, dhe Kina ka kthyer pas avionët Boeing që kishte porositur nga SHBA si hakmarrje për tarifat e vendosura.
Megjithatë, duket se Trump ka zbutur qëndrimin e tij ndaj Kinës, duke thënë se taksat që ka vendosur deri më tani mbi importet kineze “do të ulen ndjeshëm, por nuk do të jenë zero”.
Lufta tregtare midis Kinës dhe SHBA-së është në kulmin e saj, me Trumpin që ka vendosur taksa importi deri në 145 për qind për mallrat kineze që hyjnë në SHBA, ndërsa Kina ka reaguar me një taksë prej 125 për qind për produktet amerikane. /Telegrafi/