Një vajzë 9-vjeçare ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Policia po e heton rastin si “vdekje e dyshimtë”, derisa në raportin 24 orësh njoftoi se rastin e raportoi nëna pasi dyshon se nga neglizhenca e mjekëve ka ndërruar jetë vajza e saj.
Për këtë rast, Klinika e Pediatrisë, ka dalë me njoftim ku ka bërë të ditur se nga ana e tyre nuk pati neglizhencë dhe se i gjithë trajtimi u bë me aprovimin e prindërve.
“Klinika e Pediatrisë sqaron se fëmiu fillimisht ishte pranuar në Repartin Covid-19, për shkak se ka rezultuar pozitiv për COVID. Pas ekzaminimeve shtesë vërtetohet se fëmiu ka sëmundje të rëndë akute dhe për këtë njoftohen prindërit. Më pëlqimin, aprovimin dhe nënshkrimin e prindërve, fëmiu fillon terapinë dhe trajtimin e nevojshëm. Klinika e Pediatrisë sqaron se nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e fëmiut”.
“Për çdo veprim, analizë, procedurë diagnostike dhe fillimin e terapisë për sëmundjen e rëndë akute janë njoftuar prindërit, është marrë pëlqimi dhe nënshkrimi i tyre”.
Në njoftim po ashtu thuhet se janë duke pritur rezultatet e obduksionit dhe se do të ofrojnë bashkëpunim për hulumtimin e rastit.
“Tashmë, jemi në pritje të rezultatit nga Mjekësisë Ligjore. Klinika e Pediatrisë, do të ofrojë gjithë bashkëpunimimin e nevojshëm për hulumtimin e rastit nga organet kompetente”.
/GazetaSinjali/