Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj), nëpërmjet një komunikate për media e ka kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritjen e çmimit të rrymës me 16 për qind, duke e cilësuar këtë zyrë si “strukturë të organizuar kriminale”.
Duke vlerësuar se reagimi qytetar nuk është në përputhje me dëmin që ka bërë ZRrE-ja, KMDLNj ka propozuar që protestat të mbahen në të gjitha qytetet e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës duhet të marrin shembull nga shtetet më të zhvilluara evropiane që për raste shumë më të lehta se ky veprim kriminal i ZRrE- së, bënë protesta të përditshme dhe të fuqishme deri sa rrëzuan edhe qeveri e lëre më dorëheqje ministrash”, thuhet në reagimin e tyre.
Gjatë protestave të cilat, sipas KMDLNj-së, duhet të jenë gjithëpopullore, duhet të kërkohet gjithashtu “shkarkimi dhe përgjegjësi penale për ZRrE-në”.
“KMDLNj-ë tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i rrymës në mënyrë zinxhirore do të rrisë të gjitha çmimet e artikujve të domosdoshëm për mbijetesë sikur edhe të gjitha shërbimeve”.
ZRrE-ja, të premten, ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16 për qind. /Albanianpost.com