Arkeologët që kanë punuar në 11 lokalitete të ndryshme arkeologjike të kulturës Hopewell kanë gjetur nëpër gërmadha përqendrime të pazakonta të iridiumit dhe platinit, duke konfirmuar se bëhet fjalë për fragmente meteorësh. Se si u zhduk kultura Hopewell kishte disa teza, prej luftës deri të ndryshimet klimatike, por tash në horizont janë të dhëna të tjera
Para më shumë se 1500 vjetësh, në pjesën e sotme lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtrihej një civilizim i gjerë i njohur si kultura Hopewell. Shkencëtarët ka kohë që debatojnë në lidhje shkaqet e zhdukjes së asaj shoqërie. Flitej për një luftë, ndryshime klimatike, por tash ka dalë një tezë tjetër: copat e një komete, shkruan “Science Alert”.
Arkeologët që kanë punuar në 11 lokalitete të ndryshme arkeologjike të kulturës Hopewell kanë gjetur nëpër gërmadha përqendrime të pazakonta të iridiumit dhe platinit, duke konfirmuar se bëhet fjalë për fragmente meteorësh.
Përveç kësaj, u gjet edhe një shtresë qymyri, gjë që sugjeron se ajo pjesë qe përballur nxehtësi të intensitetit të lartë.
U konstatua se banorët e mëvonshëm të asaj zone, kanë mbledhur fragmente meteorësh që i përdornin si bizhuteri, si dhe u gjetën dëshmi të një katastrofe. Gjithashtu, kultura Hopewell ndërtoi një tumë në formë komete pranë epiqendrës së reshjeve të meteorëve, që tani quhet “Milford Earthworks”. Për një ngjarje katastrofike në të kaluarën e largët ende flitet midis pasardhësve të fisit.
“Miami flet për një gjarpër me brirë që fluturon në qiell dhe hedh gurë në tokë para se të bjerë në një lumë. Kur shihni një kometë në qiell, duket me të vërtetë si një gjarpër i madh”, ka thënë antropologu Kenneth Tankersley nga Universiteti i Cincinnatit.
“Fisi Shawnee përshkruan një ‘panterë qiellore’ që shkatërroi pyjet. Ottawa flet për ditën kur dielli ra nga qielli. Sikur një kometë të godiste termosferën, ajo do të shpërthente si një bombë bërthamore”, ka thënë Tankersley, duke shtuar se mikrometeoritët pas fenomeneve të tilla, lënë gjurmë kimike.
Ngjarjet kozmike sikurse goditjet e asteroideve dhe shpërthimet e kometave, lënë pas sasi të mëdha të një elementi të rrallë të njohur si platin. Por problemi është se platin ka edhe pas shpërthimeve vullkanike. Prandaj shkencëtarët po kërkojnë një element tjetër të rrallë për të konfirmuar kraterin e përplasjes së meteoritit – iridiumin. E ne gjetëm të dy elementët”, ka thënë antropologu.
Shkencëtarët përdorën një sërë teknikash, si mikroskopin elektronik dhe spektrometrin, për të identifikuar elementët e mbledhur në sedimentin që ata mblodhën. Gjetën një përqendrim jashtëzakonisht të lartë të fragmenteve të meteorit në atë zonë.
Kur datuan materialin, gjetën se ngjarja e meteoritët ndodhi midis viteve 252 dhe 383. Të dhënat historike tregojnë gjatë asaj periudhe kohore 69 kometa u dokumentuan pranë tokës. Sipas hulumtimit, një shpërthim i tillë hapësinor mund të kishte shkaktuar zjarre që shkatërruan rreth 23,828 kilometra katrorë.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se ka ende shumë pyetje pa përgjigje, sepse nuk është e lehtë të kthehesh në të kaluarën 1500-vjeçare.
“Është zor të dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur. Sepse kemi vetëm ca shenja drite në errësirë. Por është e rëndësishme të theksohet se ka pasur një episod të nxehtësisë së lartë në këtë zonë që ka qenë ndoshta katastrofike për vendasit e lashtë”, ka thënë paleoekologu David Lentz nga Universiteti i Cincinnatit.
Studim i titulluar “The Hopewell airburst event, 1699–1567 years ago (252–383 CE)”, u botua në revistën “Scientific Reports”. \ “Scientific Reports”/Koha.net/