Komuniteti maqedonas kërkon krijimin e bashkive Gollobordë dhe Gorë në Shqipëri

Komuniteti maqedonas në Shqipëri ka kërkuar krijimin e dy bashkive të reja në vend, përkatësisht atë të Gollobordës dhe Gorës, duke argumentuar se ndarja territoriale e vitit 2014 i ka lënë pa zhvillim zonat dhe i ka bashkuar padrejtësisht me bashki të mëdha si Bulqiza, apo Librazhdi dhe Kukësi, duke mos përfaqësuar interesat e minoritetit.

Përmes një komunikate për shtyp, ka qenë Shoqata Maqedonase “Ilinden”, ajo e cila ka kërkuar krijimin e komunave Gollobordë dhe Gorë në vend.

“Dhjetë vjet nga ndarja territoriale e vitit 2014, zonat e Gollobordës dhe Gorës ku jeton Pakica Kombëtare Maqedonase kanë mbetur ende të pazhvilluara. Në vitin 2014 u shfuqizua komuna e Trebishtit, Ostrenit dhe Steblevës në zonën Gollobordës, për t’ju bashkuar Bashkive Bulqizë dhe Librazhd, si dhe komunat e Shishtavecit dhe Zapotit në zonën e Gorës ju bashkangjitën Bashkisë Kukës”, përshkruhet në reagimin e shoqatës.

Pakicat Kombëtare Maqedonase në zonat e Gollobordës dhe Gorës, sipas komunikatës, e konsiderojnë heqjen e komunave si një hap prapa në respektimin e të drejtave të pakicave në Republikën e Shqipërisë.

Njoftimi vijon më tej:

Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë kërkon nga Qeveria të propozojnë ndryshime në Ligjin për vetëqeverisjen vendore për të krijuar dy Bashki të reja:

-Bashkia Gollobordë

-Bashkia Gorë

“Shoqata maqedonase Ilinden – Tiranë beson që ky proces demokratik do të rrisë besimin e qytetarëve në sistem dhe do të mundësojë zgjidhjen më efikase të problemeve në zonat e Gollobordës dhe Gorës”, përmbyllet kërkesa./Albanianpost.com

Read Previous

Komandanti ukrainas: Koreano-veriorët po hedhin në erë veten që të mos na bien në duart tona

Read Next

Man United, Amorim: Morëm 3 pikë, por nuk ishte një lojë e mrekullueshme