Trajneri i i përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse nuk është treguar shumë optimist para ndeshjes së tretë në Ligën e Kombeve kundër Irlandës së Veriut që zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ai në një konferencë për media tha se do të ketë disa ndryshime në formacion dhe zbuloi se është në dyshim paraqitja e sulmuesit Vedat Muriqi.
“Pa dyshim, mungesat, të cilat i kemi, do të sjellin ndryshime në ekip, veçanërisht kur flasim për pozitën e krahut të majtë në mbrojtje e cila ndoshta ishte pjesa problematike, ndërsa sa i përket Vedat Muriqit do ta shohim situatën prapë sot nëse ai do të jetë gati dhe shpresojmë të jetë gati për lojën e radhës”, tha Giresse.
Ndërsa futbollisti Lirim Kastrati pranoi se ndaj Greqisë nuk morën atë që deshën, por u shpreh i bindur në rezultat pozitiv ndaj Irlandës së Veriut.
Kosova ka tri pikë në Grupin 2 të Ligës C në këtë edicion të Ligës së Kombeve, duke mposhtur në udhëtim Qipron 2:0, por pësuan disfatë në Prishtinë nga Greqia me rezultat minimal 1:0.
Ndërsa theksojmë që interesimi i tifozëve edhe për këtë ndeshje ka qenë I jashtëzakonshëm, pasiqë biletat janë shitur tërësisht vetëm pak orë pasiqë dolën në shitje.