Deri tash, Kosova ka vetëm një medalje Olimpike të fituar, saktësisht në 2016-tën nga Majlinda Kelmendi që në sportin e xhudos doli e para në Rio të Brazilit duke fituar medaljen e artë.
Për momentin ajo është e vetmja që ka arritur një gjë të tillë, por mund të mos jetë e fundit. Aktualisht, nga xhudo brenda normës Olimpike janë pesë garues/e: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova.
Këta madje mund ta përmirësojnë pozitën në renditjen botërore nga garat Grand Slam që zhvillohen para Tokio 2021, përveç Distria Krasniqit që vetëm mund ta përforcoj pozitën e parë në botë për kategorinë deri në 48 kg.
Nga xhudo, gjasa ka edhe Laura Fazliu që aktualisht pozicionohet në vendin e 58-të në renditjen e kategorisë deri në 63 kg. Ka mjaft gara për të siguruar pikë që do ta ngrisin atë në renditje për ta arritur qëllimin.
Qysh në vitin 2019-tën, vizën për Olimpiadën e Japonisë e fitoi Egzon Shala nga sporti i mundjes.
Ai doli i shtati në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Kazakistan atë vit.
Në Olimpiadën që për shkak të pandemisë zhvillohet në vitin 2021, nga fund korriku deri në fillim-gusht, mund të fitojnë kualifikim edhe Donjeta Sadiku, nëse fiton dy meçe në garën e Londrës, Arti Krasniqi përmes notit, në disiplinën 10 km ujëra të hapura.
Edhe Federata e Karatesë synon të përfaqësohet me karateist, ndërsa shpreson që Herolind Nishevci, Fortesa Orana dhe Elhami Shabani të arrijnë një gjë të tillë.