KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it, partitë paralajmërojnë ankesë në Supreme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë. Nga ky institucion thonë se do të veprojnë në përputhje me vendimet e PZAP-it, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga Partia e Ashkalinjve për Integrim thonë se do të ankohen në Gjykatën Supreme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se vendimet e PZAP-it kanë vërtetuar vendimet e këtij institucioni.

Elezi: KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it

“KQZ ka pranuar vendimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes së cilave vërtetohen vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it, pra do të presim sepse në fund të tyre vendimeve ka këshilla juridike, sipas të cilave është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Ibrahim Selmanaj tha se përveç katër emrave të kandidatëve që janë ndesh me ligjin, pjesa tjetër e listës së këtij subjekti politik është certifikuar. Ai paralajmëron ankesë edhe në Gjykatën Supreme.

Selmanaj: Do të ankohemi edhe në Gjykatën Supreme

“Vendimet e KQZ-së janë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe sa i përket listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ne i kemi katër emra të cilët KGJK ka rekomanduar që kanë dënimin e formës së prerë na janë eliminuar, po të katër emrat dhe ne do të vazhdojmë me procedurat tjera tash pasi që është Gjykata Supreme… Lista është certifikuar deri në katër emrat e fundit dhe nuk janë certifikuar vetëm ata emra… Ne duhet t’i gjejmë të gjitha rrugët ligjore dhe përfundimisht duhet respektuar këto ligje, të cilat janë të zbatueshme ndoshta nuk janë më të mirat, sepse ashtu nuk janë të specifikuar edhe format e dënimeve, por prapë se prapë janë ligje të Kosovës. Nëse mbetet kjo, emrat do mbesin të zbrazët”, tha ai.

Ankesë në Gjykatën Supreme ka paralajmëruar edhe Qazim Rrahmani, sekretar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim. Ai konsideron se Komisioni Qendror Zgjedhor është i politizuar dhe po tenton t’i dëmtojë partitë tjera.

Rrahmani: KQZ e politizuar, po dëmton edhe partitë tjera

“Ne i kemi pasur tri apele në PZAP, në emër të PAI dhe dy apele i kemi pasur në emër të dy kandidatëve tonë. Siç e dini edhe ju në mbledhjen e KQZ-së Partia e Ashlanijve për Integrim nuk është certifikuar lista e kandidatëve dhe e kemi shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’u ankuar në PZAP. Sot, në këtë ankesë të cilën e kemi dorëzuar më herët dhe e kemi pranuar vendimin që lista pjesërisht pranohet për t’u certifikuar në listën e kandidatëve, por për kandidatët të cilët që kanë pasur të dhëna nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të anulohet. Ne si PAI do të ndjekim prapë rrugën ligjore për t’u ankuar brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme për shkak se vendimi i KQZ mendojmë dhe dyshojmë se është jo i drejtë sepse neni 45 i Kushtetutës së Kosovës e definon qartë që çdo njeri që i mbush 18 vjet ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Edhe KQZ në këtë rast është politizuar dhe mendoj që KQZ po mundohet ta shfrytëzojë këtë mjegull t’i dëmtojë edhe partitë tjera krahas partive të mëdha, nuk do ndalemi këtu. Do të vazhdojë deri në Supreme dhe do t’i respektojmë të gjitha vendimet pasi t’i respektojmë të gjitha shkallët”, tha ai.

Përmes një postimi në rrjetin social, Blerim Sallahu zyrtar ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme.

“Brenda afatit ligjor do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit antikushtetues të PZAP-së. Nuk do të ndalemi”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur pjesërisht pro ankesave të partive politike për certifikim të listës së kandidatëve për deputetë. PZAP ka vendosur që të certifikohen vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore.

Mbeten jashtë listave të dënuarit me aktgjykim final në tri vjetët e fundit. Në këtë listë përfshihet edhe kandidati i Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, të cilët nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Vendimi i ngjashëm është edhe për Nismën, ndërsa tek AAK-ja, e cila u shpreh se i ka zëvendësuar emrat e tre kandidatëve, nuk janë certifikuar Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati. Edhe këta nuk mund të zëvendësohen me të tjerë.

Subjektet që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme, e kjo e fundit do të ketë tre ditë afat për vendim, ndërsa procesi i certifikimit do të mbyllet më 31 janar./B.Ibishi/ / Kosova Press

Read Previous

VV do të ankohet në Supreme kundër vendimit të PZAP

Read Next

Haradinaj reagon pas vendimit të PZAP-së, thotë se do t’i drejtohen Speciales