Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka kërkuar që të ketë rinumërim të plotë në 15 vendvotime ku ka mospërputhje të nënshkrimeve.
Në mbledhjen e së hënës të KQZ-së, Elshani ka thënë se këto vendvotime janë të shpërndara në të gjithë Kosovën.
“Ka pranuar kërkesë të verifikimit të listës së votimit. Janë identifikuar 15 vendvotime që ka mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime rekomandojmë që të kenë një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të shpërndara në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.
Elshani ka shtuar se është rekomanduar që edhe 25 vendvotime në Vushtrri të hidhen në rinumërim për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të votave.
“Një raport i dytë është për rezultatet e kandidatëve të LDK-së. Nga ky raport të ndryshimeve mes rezultateve në QKN dhe rezultatet e dala nga rinumërimi ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime të hidhen në rinumërim të plotë që janë nga komuna e Vushtrrisë. 35 kuti të numërimit do të rinumërohen për shkak të diferencave të votave të kandidatëve dhe një arsye shtesë është se kemi të bëjmë me një ekip të rinumërimit. Dëshirojmë që t’i heqim të gjitha dyshimet tona”, ka thënë ai.
Ndërsa kryesuesi i Sekretariatit, Besnik Buzhala, ka thënë se janë të gatshëm që nga ora 16:00 të fillojë rinumërimi i votave në të gjitha 50 vendvotimet
“Sekretariati është i gatshëm që në orën 16:00 të fillojë me rinumërimin e kutive. Sa i përket vlerësimit të kutive me vota nga jashtë, dje kemi pranuar vendimin e PZAP-së pasi të konsumohet afati i ankesave nesër orientimisht mund të fillojmë me hapjen e kutive për vlerësimin e votave të pavlefshme ose të mërkurën në mëngjes. Sa i përket çështjes për përfundimin e procesit, është e vërtetë që unë në 21:03 kam dërguar e-mail ku kam njoftuar se ka përfunduar procesi. Po ashtu ka njoftim të KQZ-së që numërimi i fletëvotimi të votimit me postë ka përfunduar në orën 16:04 mars. Njoftimi i drejtorit ka qenë që i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve ka përfunduar”, ka thënë ai./Koha.net