Propozimi i një kandidati tjetër për kryeparlamentar dhe jo i Albulena Haxhiut, mund të jetë zgjidhja për daljen nga ngërçi në Kuvend të Kosovës, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Ishalla lëviz diçka. Ndoshta kanë ndërruar kandidatin po shpresoj. Përndryshe, duan të vazhdojnë bllokadën. Zgjidhja, po, ndonjë kandidat tjetër”, ka thënë ai për gazetarët para hyrjes në Kuvend.
Sot mbahet përpjekja e shtatë e Kuvendit për konstituim të legjislaturës së nëntë. Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota.
Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd./Koha.net