Kreu i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Yoshiro Mori, ka kërkuar falje se ka përdorur gjuhë seksiste, ndërsa është bërë thirrje për dorëheqjen e tij, raporton BBC.
Mori 83-vjeçar, ka tërhequr komentet, por ka thënë se nuk planifikon të jap dorëheqje.
Shefi kishte thënë më herët se gratë flasin tepër dhe se takimet me gratë që janë në bordin e drejtorëve marrin “shumë kohë”.
Ai po fliste në takimin e Komitetit Olimpik të Japonisë të mërkurën.
Bordi aktual i Komitetit Olimpik të Japonisë ka 24 anëtarë, prej tyre pesë gra.
“Nëse rrisim numrin e grave në bord, atëherë duhet të sigurohemi që të kufizohet limiti kohor i tyre për të folur, kanë vështirësi ta përfundojnë fjalimin. Ne kemi shtatë gratë në komitetin organizativ, por të gjitha e kuptojnë vendin e tyre”, ka thënë Mori.
Mori është kritikuar në rrjetet sociale dhe është bërë thirrje edhe për largimin e tij. Ai ka treguar për gazetën japoneze “Mainichi”, ka thënë se gratë në familjen e tij e kanë kritikuar.
“Mbrëmë, bashkëshortja ime më qortoi po ashtu. Këtë mëngjes më kritikuan edhe vajza e mbesa”, ka thënë Mori.
Mori ka kërkuar falje për fjalët, por ka insistuar se nuk do të jap dorëheqje./Ekonomiaonline