Kreu i SPAK, Altin Dumani: Epoka e paprekshmërisë po lëkundet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, deklaroi gjatë një tryeze të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, se ka publikuar një material shumë cilësor “të cilin e vlerësojmë maksimalisht si institucion, sidomos gjetjet e tyre të cilat do na shërbejnë neve për të korrektuar apo për të përmirësuar punën tonë në të ardhmen”.

“Siç duket nga përmbajtja e vetë materialit, konstatohet një progres i arritur nga SPAK dhe një tregues që SPAK ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, theksoi kryeprokurori special.

Sipas tij, rritja e kapaciteteve të SPAK-ut, ka vendosur themele të shëndosha për hetimet në “çështje të komplikuara të korrupsionit” dhe “zyrtarëve të lartë publikë”.

Dumani shtoi se lufta kundër korrupsionit “ngelet sfidë për institucionin tonë, kjo periudhë pesëvjeçare ka shërbyer për maturimin e institucionit”.

“Jemi në fazën e konsolidimit të institucionit, Besimi tek reforma në drejtësi po rritet, ka sfida por SPAK do të vazhdojë të kryejë detyrë me integritet. Kërkohet bashkëpunim mes prokurorëve, policisë, agjencive të inteligjencës dhe institucioneve të tjera”, kujtoi titullari i institucionit.

Altin Dumani garantoi drejt mbylljes së fjalës se “çdo lloj ndikimi i jashtëm nuk do të cenojë as dobësoje forcën tonë hetimore” në përmbushje të të ligjeve dhe misionit përballë shoqërisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Haxhiu: Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij

Read Next

Kupa e Mbretit: Real Madridi përballet me Real Sociedadin