Kryeministri Kurti pritet nga American Councils

Në përfundim të qëndrimit të tij në Washington D.C., kryeministri Albin Kurti u prit nga American Councils, ku u takua me drejtuesit e tij dhe mysafirë të tjerë të ftuar.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin e American Councils në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale, si dhe përvojave kulturore të vendit, nëpërmjet programeve të ndryshme, nga të cilat kanë përfituar qindra studentë kosovarë.

“Programe të tilla, ku studentët tanë shkollohen në universitete amerikane, për t’u kthyer pastaj për të dhënë kontributin e tyre në vendin tonë, janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë. Në këtë mënyrë, përpos dijes dhe aftësive të përfituara, ndërtojmë edhe më shumë ura lidhëse ndërmjet vendeve dhe popujve tanë”, u shpreh Kurti.

American Councils funksionon edhe në Kosovë dhe është organizata zbatuese e disa programeve të studimeve në ShBA, të mbështetura nga Qeveria e ShBA-së. Ndër to është programi KAEF, i cili i dedikohet zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit nëpërmjet edukimit të të rinjve nga Kosova në universitetet më të përzgjedhura në ShBA.

/KlanKosova/

Read Previous

Kërkohet tërheqja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit

Read Next

Teatri Kombëtar i Kosovës anëtarësohet në Rrjetin Evropian të Teatrove