Sipas raporteve, një negociator i lartë rus pritet të vizitojë Uashingtonin këtë javë për t’u takuar me zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump.
Kirill Dmitriev, shefi i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, i cili u emërua nga Vladimir Putin si i dërguar special për investimet dhe ekonominë ndërkombëtare, do të takohet me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, raporton CNN, përcjell Telegrafi.
Bisedimet thuhet se kanë të bëjnë me forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ndërsa ata kërkojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.
“Ndoshta rezistenca ndaj dialogut SHBA-Rusi drejtohet realisht nga interesat e rrënjosura dhe narrativat e vjetra”, ka thënë Dmitriev në një postim në X duke iu përgjigjur raportit të CNN.
“Por, çka nëse marrëdhëniet e përmirësuara janë pikërisht ajo që i duhet botës për siguri dhe paqe të qëndrueshme globale”, ka shtuar ai.
Udhëtimi i Dmitriev vjen pasi Trump duket se po bëhet gjithnjë e më i padurueshëm me zvarritjen e Moskës për një marrëveshje më të gjerë paqeje në Ukrainë, me presidentin amerikan që tha se ishte “i zemëruar” me Vladimir Putinin.
Duke qenë se Dmitriev është ende nën sanksionet e SHBA-së, CNN raportoi se administrata Trump hoqi përkohësisht sanksionet për vizitën e tij. /Telegrafi/