Kryeparlamentarja e Sllovenisë, Urska Klakocar Zupancic, po qëndron edhe sot në Kosovë.
Ajo në ora 10:00 do të pritet në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schëarz, pret në takim Kryeparlamentaren e Republikës së Sllovenisë,Urška Klakočar Zupančič. (Objekti i MPJD-së)”
Zupancic dje është takuar me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, dhe presidenten Osmani.
Pas takimit presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë në rrugën e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
Sipas presidentes Osmani, Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës, ndaj i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t`i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajten e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”, ka theksuar Osmani.
Sipas saj, Kosova është shembull pozitiv në rajon me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencën, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Osmani theksoi se synimi i politikës së jashtme të Kosovës mbetet i fokusuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare.
Në këtë linjë, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare.
U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimit reciprok të përvojave./Reporteri.net/