Maroku po punon fort për të qenë gati për Kupën e Botës 2030, një ngjarje që do të zhvillohet pas rreth pesë vitesh dhe që vendi afrikan do ta presë së bashku me Spanjën dhe Portugalinë (me disa ndeshje të luajtura në Amerikën e Jugut, për të festuar njëqindvjetorin e edicionit të parë të Kupës së Botës, që u luajt në Uruguaj).
Mbreti Mohammed VI dha dritën jeshile për një plan zgjerimi hekurudhor prej rreth 9.1 miliardë euro, i cili përfshin ndërtimin e një linje me shpejtësi të lartë për në Marrakesh, destinacioni kryesor turistik i vendit, deri në vitin 2030, njoftoi media shtetërore dje, 24 prill.
Përgatitjet e Marokut për të bashkëorganizuar Kupën e Botës 2030 kanë nxitur zgjerimin e rrjeteve hekurudhore të shpejtësisë së lartë, ndërqytetëse dhe urbane.
Vendi gjithashtu shpreson se këto investime do të nxisin zhvillimin e industrisë së sapolindur hekurudhore të vendit.
Linja e re e shpejtësisë së lartë, me vlerë rreth 5 miliardë euro, do të nisë nga Kenitra, në bregun e Atlantikut dhe do të shtrihet 430 kilometra në jug deri në Marrakesh, duke i shërbyer gjithashtu Rabatit dhe Kazablankës gjatë rrugës.
E projektuar për të arritur shpejtësinë 350 kilometra në orë, linja do të zvogëlojë kohën e udhëtimit midis Marrakeshit dhe Tangierit me dy orë në 2 orë e 40 minuta, ndërsa udhëtimi midis Rabatit dhe aeroportit kryesor të Casablanca do të shkurtohet në 35 minuta.
Operatori shtetëror hekurudhor i Marokut “ONCF” njoftoi në shkurt se kishte nënshkruar kontrata për të blerë 168 trena nga Franca, Spanja dhe Koreja e Jugut me vlerë 2.75 miliardë euro.
Megjithatë jo vetëm trenat.
Ministri i Transportit i Marokut, Abdessamad Kayouh, ka njoftuar një përmirësim të aeroportit prej afërsisht 2.7 miliardë euro që konsiston kryesisht në ndërtimin e një aeroporti të ri në Kazablanka, të lidhur me një stacion treni me shpejtësi të lartë.
Kështu, sipas shpjegimeve të ministrit, do të mund të udhëtohet Marrakesh-aeroport për 50 minuta dhe ndërmjet aeroportit dhe Tangierit për gjysmë ore.
Aeroporti i ri i Kazablankës do të lidhë Marokun me disa destinacione të largëta që kërkojnë më shumë se 8 orë fluturim, si pjesë e përgatitjeve për të rritur flotën e “Royal Air Maroc” nga 50 avionë aktualë në 100 deri në vitin 2030.
Përveç projektit të ri të Kazablankës, ministri përmendi gjithashtu zgjerimin e aeroporteve të tjera, duke përfshirë aeroportet e Rabat-Salate të cilat do të jenë në gjendje për të miliona pasagjerë.
Në vitin 2024, kishte mbi 34 milionë pasagjerë në aeroporte, një shifër që pritet të rritet si pjesë e vizionit “Aeroportet 2030” për të arritur në 80 milionë pasagjerë.
Të gjitha qytetet që do të organizojnë Kupën e Botës, si Kazablanka, Rabati, Tangieri, Marrakeshi dhe Agadiri, do të preken nga projektet për zgjerimin e aeroporteve të tyre.
Ndërmjet aeroporteve dhe rrjetit hekurudhor priten investime rreth 12 miliardë euro.
Sigurisht investimet e Marokut nuk ndalen vetëm këtu. Vendi afrikan po përgatitet të ndërtojë stadiumin më të madh në botë me 115 mijë vende.
Stadiumi do të vendoset 38 kilometra në veri të Kazablankës, në një zonë prej 100 hektarësh në qytetin El Mansouria, në provincën e Benslimane.
Stadiumi do të jetë një strukturë nën një çati të madhe. Dizajni është frymëzuar nga tubimi shoqëror maroken i njohur si “moussem” dhe ka një buxhet të vlerësuar prej rreth 459 milionë eurosh.
Stadiumi më i madh i Marokut deri më sot është “Mohamed V” në Kazablanka (67,000 vende). /Albanianpost.com