Javën tjetër pritet që Qeveria e Kosovës t’ua paraqesë ofertën veteranëve të luftës së UCK-së të cilët kërkojnë përfshirjen në projektligjin për Pagën Minimale.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media, duke thënë se listat e fryra të veteranëve paraqesin problem.
“Bashkë me ministrinë e Financave jemi duke punuar për një ofertë përmbajtësore për organizatat e dala nga lufta”, është shprehur Kurti.
“Jam i hapur për dialog. Zyrën time e kam të hapur. Jam i interesuar dhe shpreh përkushtimin tim se qeveria është e interesuar që UÇK-ja të trajtohet me dinjitet. Nuk duam rritje ekonomike e mirëqenie pa veteranët. E duam me ta, edhe mirëqenien edhe pavarësinë, por edhe me të vërtetën.
“Të vërtetën e kemi aq të mirë e aq të bukur sa që nuk kemi nevojë që ta zbukurojmë”, ka theksuar ai duke folur për pastrimin e listave.
Kurti më tej ka thënë se paga minimale nuk duhet të lidhet me benificionin e veteranëve.
/KlanKosova/