Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar heroin Luan Haradinaj në përvjetorin e vdekjes së tij.
Ai e quajti atë Luan me emër dhe luan me vepra.
“Luan Haradinaj ishte një zemërluan, zemra e të cilit pushoi së rrahuri si sot më 6 maj 1997, i qëlluar nga forcat okupatore serbe në Qafëmullar. Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë kufi që e kishte kaluar me dhjetëra herë, duke bartur edhe armë bashkë me shokët, disa prej të cilëve po ashtu do të binin dëshmorë”, shkroi shefi i qeverisë.
Ai tha se student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, Luan Haradinaj realizoi edhe i vetëm shumë aksione guerile kundër policisë serbe.
“Ai kishte vullnet për të studiuar siç kishte edhe vullnet për të luftuar, derisa ra dëshmor për lirinë e Kosovës, këtu e 25 vjet më parë. Ndonëse ishte vetëm 23 vjeçar kur ra dëshmor, Luan Haradinaj ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjeteve logjistike të saj”.
“Lavdi veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre paguan lirinë e të gjithë neve”, përfundoi Kurti në Facebook.