Kurti: Me RMV-në s’kemi mosmarrëveshje, jemi fqinj dhe partnerë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, deklaroi se mes Kosovës dhe RMV-së nuk ka mosmarrëveshje, çka dëshmohet nga bashkëpunimi prej 15 vjetëve të fundit, gjatë të cilëve janë nënshkruar 50 marrëveshje dhe memorandume.

“Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Megjithatë, ajo që duhet të theksojmë më shumë është zbatimi i plotë dhe i përpiktë i tyre”, ka thënë Kurti para kabinetit qeveritar të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Teksa foli për synimet e përbashkëta të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Kurti theksoi se të dyja vendet besojnë në parimet që qëndrojnë në zemër të NATO-s.

“Dy Republikat tona kanë shumë të përbashkëta, por ajo që qëndron mbi të tjerat është aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të kontribuar në paqen ndërkombëtare përmes aleancës Veri-Atlantike”, shtoi ai.

Mbledhja e përbashkët mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndër të tjera, Kurti potencoi se ky bashkëpunim “i shkëlqyeshëm”, do të avancohet edhe me nënshkrimin e dy memorandumeve mes dy shteteve.

“Sot, këtë progres do ta avancojmë më tej, duke nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme, si energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, ka treguar Kurti.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona reflektohen gjithashtu në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti mbi 432 milionë euro në vitin 2023 – një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019”.

“Një rritje e konsiderueshme krahasuar me 3.5 milionë kalime në vitin 2019. Një nga rezultatet kryesore të takimit të sotëm do të jetë nënshkrimi i protokollit teknik që rrjedh nga marrëveshja për kalimet e përbashkëta kufitare”.

Ndryshe, ministri shqiptar i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, njëherësh njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, në një intervistë për Albanian Post të hënën ka deklaruar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe RMV-së janë më të mira se kurrë më parë dhe se po punojnë për ta çuar bashkëpunimin në një nivel edhe më të lartë./Albanianpost.com

Read Previous

Çasti kritik: Fotografi “kap” raketën duke goditur ndërtesën në Bejrut

Read Next

Dollari fiton terren ndaj lekut në tregun e këmbimit