Kurti: Prioritet në dialogun me Serbinë do ta kemi çështjen e krimeve të luftës dhe të pagjeturit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe, në 22-vjetorin e masakrës. 

Kurti ka pohuar se në bisedimet me Serbinë çështje me prioritet do të jenë krimet serbe në Kosovë dhe të pagjeturit, duke thënë se do kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi.

“Drejtësia mungon dhe është obligim i yni që të angazhohemi maksimalisht me institutin e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale në mënyrë që të arrijmë t’i shërojmë plagët e luftës, duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi”, ka deklaruar Kurti.

Osmani ka thënë se Krusha e Madhe dhe masakrat e kryera janë “zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi”.

“Maskara në Kurshë dhe ato që do t’i kujtojmë në muajt në vijmë janë dëshmia më e madhe e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Plaga jonë është ende e hapur pasi që kryesit e krimeve janë ende në liri dhe kemi shumë të zhdukur”, ka deklaruar ajo.

Osmani dhe Kurti më pas do të bëjnë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të të 22-vjetorit të masakrave të ndodhura në këto dy fshatra.

Read Previous

Nora Gjakova siguron medaljen, kalon në finale në Grand Slamin e Tbilisit

Read Next

Gjurmëve të muzikës për mjeshtrin e madh Ymer Riza