Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka takuar ministrin federal të Punës dhe Ekonomisë së Austrisë, Martin Kocher, me të cilën thuhet se kanë biseduar për marrëdhëniet e rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, rolin dhe kontributin e diasporës, përfshirë mundësitë e reja të bashkëpunimit në ekonomi, tregti, turizëm dhe zhvillim rural.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, veçanërisht nëpërmjet projekteve të Agjencisë Zhvillimore (ADA), të cilat arrijnë vlerën prej 26 milionë euro. Përkrahja nga kjo Agjenci ka luajtur një rol instrumental në zhvillimin e shumë projekteve të rëndësishme për vendit, përfshirë këtu programin tonë për arsim dual”, thuhet në komunikatën për media.
Duke folur për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, Kurti ka theksuar se Austria është një nga investitorët kryesorë në vendin tonë.
Kurti dhe Kocher biseduan edhe rreth bashkëpunimit rajonal, Tregun e Përbashkët Rajonal, Planin e Rritjes të BE-së, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre./21Media