Kryetarja e Alternativës, që është në koalicion me Vetëvendosjen, Mimoza Kusari-Lila tha se bllokues të konstituimit të institucionit më të lartë ligjvënës janë ata që po votojnë kundër dhe ata që po abstenojnë, sepse, sipas saj, Vetëvendosje është për të zhbllokuar situatën në mënyrë që të nisë edhe rrjedhja e afateve për zgjedhjen e qeverisë.
Kusari-Lila ka cituar edhe një nen kushtetute që, sipas saj, thotë se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit, e që ky 30 ditësh i bie të dielën e 27 prillit.
“Në raport me afatet, më lejoni të vë në vëmendje të të gjithëve që gjithashtu është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diel me 27 prill apo nëse e shohim me ditë kalendarike mund të jetë edhe nesër, sepse marsi ka pasur 31 ditë, prandaj kjo situatë nuk është se mund të shkojë tërësisht në pafundësi mund të sjellë në një rrethanë krejtësisht tjetër, ku diskutimi me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila.
Ndërkohë, neni 66 i Kushtetutës së Kosovës te Zgjedhja dhe Mandatet thotë se: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”./rtklive