Kusari-Lila thotë se zgjedhjet e reja po shihen si zgjidhje

Deputetja nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në situatën aktuale zgjidhja më e afërt po duket shkuarja në zgjedhje të reja.

“Me këtë situatë, mënyra se si po barrikadohen grupet parlamentare tjera, vërtetë duhet të dakordohemi për një temë tjetër. Të thërrasim grupet parlamentare, ta konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi me 80 vota pro ta shpërndajmë Kuvendin e të shkojmë në zgjedhje të reja. Rrethana aktuale e deklarimet aktuale duket se është zgjedhja më e afërt dhe më e pranueshme”, ka thënë Kusari-Lila. 

Ajo ka thënë se edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka nisur me propozimin e datave për zgjedhje të reja.

Kusari-Lila ka thënë se gjitha grupet duhte të votojnë për zgjedhjen e propozimit për kryetar të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar.

“Në situatën aktuale, siç po deklarohen grupet tjera parlamentare politike të opozitës së deritashme, i bie menjëherë pasi të arrijmë një shumicë prej 61 votave, të mos i votojmë nënkryetarët, që po ashtu duhet zgjedhur me 61 vota”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se nuk është proceduar tutje me shkuarje në votim për kandidaten e VV-së për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, duke marrë parasysh deklarimet e grupeve parlamentare për mënyrën e votimit.

Kusari-Lila ka hedhur poshtë pretendimet nga grupet parlamentare të opozitës së deritashme se Vetëvendosja e ka “uzurpuar Kuvendin”. 

Ajo ka thënë se grupet tjera nuk mund t’ia përcaktojnë Vetëvendosjes se kë të propozojë për kryekuvendar.

“Nëse ashtu atëherë edhe ne po ua propozojmë të të propozojnë për nënkryetarë. U themi s’na pëlqen ky nënkryetar. LDK-ja ka deklaruar se për nënkryetar do ta propozojë Kujtim Shalën, u themi s’po na pëlqen më mirë propozoni Paris Gurin, është më i ri. Është absurde”, ka thënë Kusari-Lila. 

Ajo ka thënë se ky ngërç duhet kaluar me diskutime. 

“Kështu si jemi, me këto qëndrime, ju betohem se mund të shkojë deri në dy vjet. Nuk ka asnjë rregull që e përcakton se kur të ndalemi me 48-orësha. Janë dy procese të ndara konstituimi i Kuvendit dhe ai i Qeverisë”, ka thënë Kusari-Lila. 

Ajo ka thënë se duhet sa më parë të konstituohet Kuvendi. 

Tha se nëse Vetëvendosje arrin të mbledhë 61 vota për kryeparlamentare, atëherë do të mund të kërkojë të votohen ndaras nënkryetarët e jo pako si ka shkuar deri më tash. 

“Të shohim pastaj si arrijnë të bëjnë 61 vota nënkryetarët nga grupet tjera”, tha ajo. 
 

Deputetja Donika Gërvalla ka deklaruar në Facebook se të mërkurën do të jetë shansi i radhës për të hequr dorë nga bllokadat fëmijërore dhe për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit. Ajo ka shtuar se kryetari i Kuvendit propozohet vetëm nga koalicioni fituesi e nga askush tjetër.

Ajo i akuzoi partitë e tjera se po e bllokojnë Kuvendin.

“Një gjë është e qartë: Kryetarin e Kuvendit e propozon koalicioni fitues, askush tjetër. Në rastin konkret, zgjedhjet i ka fituar koalicioni LVV/GUXO/Alternativa, i cili ka fituar më shumë vota se numri dy dhe tre së bashku. Partia dy dhe tre ka të drejtë të propozojë nga një nënkryetar, sipas përzgjedhjes dhe preferencës së tyre. Institucionalista, ku jeni? Si ia shpjegoni votuesit tuaj këtë bllokim të pakuptimtë dhe të papranueshëm të institucioneve? Meqë thoni që nuk i paskemi numrat për formim të qeverisë, pse nuk silleni institucionalisht dhe nuk mundësoni kalimin deri në atë pikë? Apo jeni ende të zënë me diskutimet se kush kujt ia vodhi votat me postë?”, ka shkruar ajo./Koha.net

Read Previous

Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike

Read Next

Librashitësi Zogaj ofron tituj të ndryshëm librash për shitje në Gjakovë