Për të katërtën herë është mbajtur “Kupa e Gjeravicës” në Bjeshkët e Belegut të Komunës së Decanit. Gara u mbajt për të gjitha kategoritë në disiplinën e sllallomit të madh dhe u organizua nga Selmon Berisha. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, kryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi , Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj si dhe shumë skitarë nga klube të ndryshme të Kosovës.
Në këtë garë morën pjesë katër ekipe me gjithsej 24 garues dhe u arritën këto rezultate: në kategorinë e seniorëve vendin e parë e mori Valmir Selmanaj me kohë totale prej 1.04.71, vendin e dytë e mori Vatan Cakaj, kurse i treti i takoi Hasan Kadrijajt. Tek juniorët vendi i parë i takoi Arbër Dobrajt, kurse pozitat dy dhe tre shkuan për garuesit Kreshnik Kadrijaj dhe Leutrim Kadrijaj.
Kryetari i federatës së skitarisë së Kosovës Milaim Kelmendi u shpreh se ky organizim është një mundësi e mirë që sytë të kthehen nga kjo bjeshkë piktoreske me shtigje të veçanta. Ai tutje tha se synimi i kësaj gare është promovimi i këtyre resurseve që në të ardhmen do të shërbejnë si destinacion i turizmit në Kosovë.