Kush është kardinali Kevin Farrell, kreu në detyrë i Vatikanit?

Bota u trondit mëngjesin e së hënës kur u konfirmua lajmi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Lajmi u bë publik nga një figurë pak e njohur ndërkombëtarisht, por shumë e rëndësishme brenda hierarkisë së Kishës Katolike – kardinali irlandez-amerikan Kevin Farrell.

Me fjalët e ndjera se Papa ishte “kthyer në shtëpinë e Atit”, kardinali Farrell mori një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të karrierës së tij – atë të “Camerlengo-s”, ose rolin udhëheqës në Vatikan gjatë periudhës së ndërmjetme mes vdekjes së një pape dhe zgjedhjes së pasardhësit të tij.

Farrell, i lindur në Dublin më 1947, është emëruar në këtë detyrë nga vetë Papa Françesku në vitin 2019. Përveç rolit drejtues gjatë kësaj periudhe që njihet si Apostolica Sedes Vacans, ai do të ketë edhe një rol qendror në ceremonitë tradicionale të zisë dhe në përgatitjet për zgjedhjen e Papës së ri.

Nga Dublini në zemrën e Vatikanit

Kardinali Farrell ka ndjekur studimet në Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Ai ka shërbyer në kisha të ndryshme përfshirë Meksikën dhe SHBA-të, ku ka kaluar mbi 30 vite të jetës së tij në shërbim të komunitetit katolik.

Në vitin 2007, ai u emërua peshkop i Dallasit, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku e thirri në Vatikan për të udhëhequr dikasterin e ri për çështjet familjare. Më pas, në vitin 2023, ai u caktua edhe si president i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale.

Përgatitjet për zgjedhjen e Papës së ri

Si camerlengo, Farrell do të mbikëqyrë organizimin e konklavës – procesi përmes të cilit zgjidhet Papa i ardhshëm. Ai do të drejtojë gjithashtu procedurat e certifikimit të vdekjes së Papa Françeskut dhe përgatitjet për ceremonitë mortore, duke përfshirë zhvendosjen e trupit të tij nga rezidenca në Bazilikën e Shën Pjetrit. /rtsh.al/

Read Previous

Sa do të rritet çmimi i bukës dhe si po e presin këtë vendim qytetarët?

Read Next

Të mërkurën, një tjetër përpjekje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit