Lajm i madh për futbollin e Kosovës

Nga edicioni 2022/23 futbolli i Kosovës do të përfaqësohet me katër skuadra në garat evropiane.

Lajmin e ka konfirmuar sot kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi.

Sipas tij, nga ky vit, futbollin e Kosovës në Evropë do ta përfaqësojnë kampioni, nënkampioni, skuadra e pozitës së tretë dhe fituesi i Kupës së Kosovës, përcjellë KosovaPress.

“Dua të ndaj me ju një lajm jashtëzakonisht të mirë për futbollin e Kosovës. Që nga edicioni 2022/2023 Kosova do të përfaqësohet në Evropë me 4 skuadra. Pra, edicioni i ri i garave në futbollin kosovar do të dërgojë në garat evropiane kampionin, nënkampionin, skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës si dhe fituesin e Kupës së Kosovës. “, ka shkruar Ademi në “Facebook”.

I pari i FFK-së më tutje ka falënderuar klubet kosovare të cilat po bëjnë performanca të mira me lojën e tyre si dhe organet e UEFA-së për bashkëpunimin e treguar me drejtuesit e FFK-së.

“Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë, e për të cilin jemi angazhuar shumë me kërkesa të vazhdueshme në UEFA. Duke pasur parasysh se Superliga është me 10 ekipe, nëse e llogarisim me përqindje i bie që 40% kampionatit tonë do të jetë në garat evropiane dhe kjo s’do mend se është arritje e madhe. “

“Me këtë rast përveç punës tonë si federatë, dua t’i falënderoj shumë edhe organet e UEFA-s që na mirëkuptuan në kërkesën tonë, por më së shumti i falënderoj klubet tona, të cilat këtë vit kanë performuar dhe po performojnë jashtëzakonisht mirë, pasi që koeficienti fitohet nga performanca e tyre. “

Krejt në fund, Ademi i ka uruar klubet kosovare pasi ky hap i madh nënkupton edhe rritjet të ekonomisë në Kosovë dhe më shumë kualitet në futboll.

Prandaj, në këtë ditë të rëndësishme për futbollin e Kosovës i uroj klubet e Superligës, ngase pjesëmarrja e katër ekipeve në Evropë nënkupton edhe rritje të ekonomisë në Kosovë, më shumë kualitet në futboll dhe pa dyshim edhe ngritje të organizimit të klubeve.

Read Previous

Malazezi që brohoriti “Kosovën do ta lajmë me gjak” dëbohet nga Kosova

Read Next

Kuvendi i Kosovës mban vazhdimin e seancës plenare