Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të mbledhë sot (e martë) nënkryetarët e partisë, për t’iu përgjigjur ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mësuar KOHA nga burime brenda LDK-së.
Sipas informatave të siguruara, gjatë ditës pritet që LDK-ja të vendosë për ftesën e Kurtit për t’u konsultuar për formimin e institucioneve, pas certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
LDK-ja është e vetmja parti e ftuar zyrtarisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në letrën drejtuar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa orare për takimin eventual.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ftesa të tilla për konsultime për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë së re, siç ka marrë vesh KOHA, nuk u janë përcjellë edhe dy subjekteve të tjera politike: Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Përderisa nuk ka pasur ende përgjigje zyrtare nga LDK-ja, akterë të kësaj partie i kanë dalë kundër ftesës së Kurtit.
Javën e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar përfaqësues të komuniteteve, me përjashtim të Listës Serbe, të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend.
Derisa nga një pjesë e tyre ka marrë konfirmimin për mbështetjen, disa prej deputetëve kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të e për të kanë pasur edhe kërkesa.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Në mënyrë që Kuvendi të konstituohet, kandidatin e saj për kryeparlamentar duhet ta mbështesin së paku 61 deputetë, aq sa nevojiten edhe për formimin e Qeverisë.
LDK-ja ka siguruar 20 ulëse./Koha.net