Lëndohet Adrion Pajaziti, do të mungojë të paktën dy muaj

Në fillim të këtij tetori, Adrion Pajaziti arriti një pikë kulmore në karrierë, duke u ftuar për herë të parë në kombëtaren shqiptare, pasi kishte shkëlqyer me ekipin Shpresa dhe shihte të ardhmen përpara me dyer të hapura.

Gjithsesi, ylli që i përket klubit Fulham në Angli, aktualisht i huazuar te Gorica në Kroaci, do të duhet të ndalet për pak kohë. Klubi kroat njoftoi se Pajaziti ka pësuar një dëmtim të rëndë në muskujt e pasmë të kofshës, gjë që mund ta mbajë jashtë fushës deri në fund të vitit.

Lëndimi ndodhi që në minutën e 6-të të ndeshjes së Ligës së Parë kroate, mes Goricës dhe Istrës, ndeshje e cila përfundoi me fitore 1-0 për ekipin e tij.

Ky është një moment i vështirë për 21-vjeçarin, i cili kishte filluar të aktivizohej rregullisht në mesfushë dhe po tregonte paraqitje të mira, megjithëse ende pa shënuar apo asistuar personalisht.

Pajaziti cilësohet si “Demollari i ri” për stilin e tij të lojës, që i afrohet legjendës së Dinamos dhe kombëtares shqiptare. Tek ekipi i dytë i Fulhamit, ai ka qenë një nga lojtarët më të spikatur, dhe transferimi në huazim te Gorica për 200,000 euro u bë me qëllimin që talenti i ri të fitonte përvojë. Me pritshmëritë për sezonin e ardhshëm, ai mund të bëhet pjesë e Premier Ligës. /abcnews.al

Read Previous

Pse ekonomia e Spanjës po rritet më shpejt se homologët e saj të eurozonës?

Read Next

Siemens blen grupin amerikan të softuerit në marrëveshje me vlerë miliarda euro