Numri i lindjeve në Itali po shkon drejt një rekordi të ri të ulët më 2024, tha të hënën byroja kombëtare e statistikave, ISTAT, duke e shënuar rënien e 16-të rresht të rënies dhe shifrën më të ulët që nga bashkimi i Italisë më 1861.
Rënia e vazhdueshme e numrit të lindjeve në Itali konsiderohet urgjencë kombëtare, por pavarësisht nga zotimet e qeverive njëra pas tjetrës për ta bërë çështjen prioritet, asnjëra prej tyre deri më tani nuk kanë arritur që ta ndalin zvogëlimin e shifrës së të porsalindurve, raporton agjencia “Reuters”.
Mes janarit dhe korrikut, në Itali u regjistruan 4.600 lindje më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ose për 2,1 për qind më pak, thuhet në një deklaratë të ISTAT-it.
Gjatë tërë vitit 2023, Italia regjistroi 379 mijë e 890 lindje, me rreth gjashtë të porsalindur për një mijë banorë. Kjo shifër paraqiti rënie prej 3,4 për qind në krahasim me vitin 2022 dhe 34,1 për qind në krahasim me vitin 2008 – viti i fundit kur shteti i Evropës Jugore kishe shënuar rritje të numrit të të porsalindurve.
“Scope Ratings” tha këtë muaj se demografia e Italisë është më e keqja në Evropë në aspektin e potencialit për rritje ekonomike në periudhën 2023 – 2040, pasi popullsia që po plaket shpejt paraqet rrezik për financat e tendosura publike të vendit.
Vitin e kaluar, Italia e pati shkallën më të keqe të punësimit në Bashkimin Evropian, sipas agjencisë “Eurostat”. /Nacionale/