Janë duke bërë përgatitjet e fundit për të mbyllur dyert, që nga nesër bizneset në Çarshinë e Vjetër nuk do të jenë të hapura për të ofruar shërbime të gastronomisë, pasi që në këtë pjesë pritet të shtrohen pllaka të reja. Pronarët janë duke bërë heqjen e gjësendeve para lokaleve të tyre, për të liruar hapësirën për veprimet e nevojshme. Ata shpresojnë që pllakat e reja që do të shtrohen janë më kualitative dhe do u lehtësojnë veprimtarinë e tyre.
Nga Zyra për Informim në Komunën e Gjakovës e konfirmuan një gjë të tilë për televizionin tonë.
Nesër, nga ora 14:00, nisin punimet për sanimin e rrugëve në pjesën e vjetër të qytetit, konkretisht në rrugën ‘’Sylejman Hadum Aga’’ (rruga kryesore e Çarshisë së Madhe, segmenti nga Universiteti deri te udhëkryqi me rrugën ‘’Abedin Tërbeshi’’, duke përfshirë edhe sheshin ‘’Vëllezërit Kryeziu’’ Loma e Drithit). Punimet do të zhvillohen në tri faza, brenda 30 ditëve. Çdo 10 ditë, do të punohet nga një segment në mënyrë që bizneset të mos dëmtohen gjatë. Shtrimi i kësaj rruge me pllaka të mëdha graniti, do t’i dhurojë një pamje tërësisht tjetër Çarshisë së Vjetër. Si qeverisje komunale i kemi kushtuar rëndësi të veçantë përpilimit dhe implementimit të këtij projekti, në mënyrë që të mos ketë më nevojë të intervenohet sërish.
Punimet do të nisin nga pjesa e Rektoratit të Universitetit “Fehmi Agani” deri tek mesi Çarshisë, për të vazhduar më pas me segmentet e tjera.