Maqedonia e Veriut apelon shtetet e BE-së që të mbështesin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Union

Maqedonia e Veriut, ka përgëzuar hapin e parë të Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian – dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Union.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fizikisht dorëzoi dokumentacionin përkatës Presidencës Çeke të BE-së për anëtarësim në Union, ka apeluar vendet anëtare të BE-së që të mbështesin këtë aplikim, që sipas tij është reflektim i qartë i vullnetit të qytetarëve dhe institucioneve kosovare.

“Gjatë takimit me Kryetarin (Glauk) Konjufca para disa ditëve në Kuvend e pohova qëndrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të institucioneve vendore se ne do të jemi gjithmonë përkrahje e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Republikës së Kosovës, sepse konsiderojmë se vetëm Ballkani Perëndimor i integruar tërësisht në BE dhe në NATO është garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar ai.

“Lajmi për dorëzimin e aplikimit nga ana e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është hapi kryesor që duhet të ndërmerret për të filluar këtë rrugëtim. Edhe lajmi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës është sukses historik dhe Ju – ia dolët!”, ka shtuar ai.

Talat Xhaferi

Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’u konsideruar për anëtar në BE?

Para se gjithash, normalizimin e raporteve me Serbinë, diçka që zyrtarëve të Kosovës u ritheksohet sa herë të udhëtojnë për në Bruksel. Kjo është çështja më problematike. Pjesë tjetër e rëndësishme është bindja e pesë shteteve anëtare nga 27 gjithsejtë që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur. Madje edhe BE-ja ka status neutral, duke iu referuar Kosovës me fusnotë.

Gjithsesi, edhe sikur këto probleme të mos ekzistonin fare, datë e caktuar nuk ekziston për asnjë kandidat, pasi procesi në fjalë përparon varësisht nga aftësia e kandidatit/shtetit për t’i përmbyllur kapitujt të kërkuara nga Unioni.

Procesi në vetvete është tejet kompleks dhe me vite i gjatë, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilin BE-ja parasheh një proces të veçantë.

Marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillohen brenda një kuadri të veçantë të njohur si procesi i Stabilizim-Asocimit – marrëveshja e vetme e Kosovës me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në Union.

Aplikimi për anëtarësim në BE fillon zyrtarisht kur vendi aspirant dorëzon aplikimin për anëtarësim Presidencës së BE-së.

Komisioni Evropian ofron një opinion formal Avis për vendin i cili aplikon, duke rekomanduar dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Pasi Këshilli, në unanimitet bie dakord mbi një mandat negociues, bisedimet midis vendit kandidatit dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së mund të hapen formalisht.

Por, para se të fillojnë negociatat, kandidati në këtë rast shteti aplikues duhet të plotësojë kriteret e aderimit në BE.

“Kriteret e Kopenhagenit”, kërkojnë që vendi kandidat të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Evropian.

Aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomik dhe të bashkimit monetar. /Albanianpost.com

Read Previous

Universiteti i Harvardit do të ketë për herë të parë një presidente afro-amerikane

Read Next

Musliu: Serbia duke sulmuar Kosovën, po sulmon edhe Turqinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut