Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos u shpreh sot gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama, se gjeopolitika sot në Evropë është një tregues se rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së është i sigurt dhe i vërtetë.
“Sigurisht që gjeopolitika, është ajo sot që na tregon se gjithçka mund të jetë e mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt BE-së është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën kryenegociatoren dhe shoh që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh Kos.
“Ju citoj kur ju thoni që dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur, jemi në udhën e duhur dhe të mbarë sepse janë hapur tashmë grupkapitujt e caktuar, 2,3 gjithashtu do të jenë dhe gjithë grup-kapitujt e tjerë”, u shpreh Kos.
“Dhe siç e dimë edhe ne, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha komisionerja.
“Gjëja tjetër e rëndësishme që dua të them është që ju jeni ishull stabiliteti, ju keni marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në rajon, dhe kjo është diçka që ne shpesh e harrojmë, ju jeni kampionë për bashkëpunimin rajonal”, vijoi Komisionerja për Zgjerimin e BE-së. /ATSH/