Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se dje në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë për çështjen e targave mes delegacioneve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka thënë se ekspertët e Bashkimit Evropian ndihmuan dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike.
“Ndërkohë, delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar dje në Bruksel për takimin e 6-të të GP për Targat. Ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Tutje ai ka shtuar se tani është koha për t’u angazhuar në gjetjen e pikave të përbashkëta.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.
/Kallxo.com/