Qytetarët e infektuar me koronavirus të cilët janë duke u trajtuar në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” thonë se terapia që nevojitet për tu shëruar nga ky virus, është shumë e kushtueshme. Ekonomia familjare goditet edhe më shumë kur nga e njëjta familje preken dy, tre apo më shumë persona nga COVID-19.Rasti konkret janë edhe Fetah e Ajne Nezaj të cilët po trajtohen në njërin prej reparteve të spitalit “Isa Grezda”. Ata thonë se për ta siguruar terapinë ju kanë ndihmuar të afërmit.
Terapia kundër COVID është terapi mbështetëse, që nënkupton përdorimin e antiviralëve, produkteve vitaminoze, analgjetikëve, oksigjenoterapive dhe terapive të tjera. Lidhur me këtë drejtori i spitalit, Hilmi Shala thotë se sa i përket listës esenceiale spitali në Gjakovë ka qenë stabil dhe është furnizuar rregullisht nga SHSKUK. Remdesiviri, Fraxiparini, Citerali, Linezoolidi, dhe vitaminat e tjera, janë në listën e barërave që përdoren për shërimin e Covid-19, teksa në këtë listë hyjnë edhe analizat e CT, që duhen bërë për të kontrolluar virusin.
Përveç Remdesiviri, një recetë e dhënë nga mjeku është e përbërë edhe nga Favira (hap antiviral) i cili kushton 80 euro 200 mg, po ashtu për mos-trashjen e gjakut jepet edhe Fraxiparini ku 0.4ml kushton 3.50 euro ndërsa 0.6 ml kushton 4.50 euro, kurse Linezoolidi antibiotik kushton 50 euro. Këto çmime dallojnë nga farmacia në farmaci. Ne kemi tentuar që të marrim informata nga farmacistët në Gjakovë por që të nëjtit nuk kanë pranuar që të prononcohen para kamerës. Secili nga ta kanë thënë që çmimet i vendosin sipas marrëveshjes që kanë më kompanitë furnizuese.
Moszbatimi i Udhëzimit Administrativ, po ndikon në çmime të ndryshme të barnave nëpër farmaci. E që çmimet të jenë njësojë në secilën barnatore, duhet të hyjë në fuqi, Udhëzimi Administrativ i cili përcakton kriteret apo metodologjinë e përcaktimit të çmimeve për produkte qoftë nga lista e barnave esenciale, apo edhe atyre që janë pjesë e furnizimeve për institucionet publike shëndetësore. Një mori ankesash në lidhje me çmimet ka pranuar edhe Shoqata e Pacientëve të Kosovës, e cila ka treguar se këto çmime janë jashtëzakonisht të shtrenjta për standardin e qytetarëve të Kosovës. Andaj që ky problem të zgjidhet njëherë e mirë ministria e Shëndetësisë duhet të marr të gjitha masat obligative për zbatimin e këtij udhëzimi.
Mbi 1600 euro kushton terapia anti-Covid për një pacient