Policia e Kosovës, me kërkesë të kryetarit të Komunës së Leposaviqit, ka ndërmarrë të mërkurën aksion për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në këtë komunë.
Sipas njoftimit të Policisë, këto hapësira ishin në pronësi të Komunës së Leposaviqit dhe ishin zënë në mënyrë të jashtëligjshme nga institucione paralele të Serbisë, të cilat vepronin në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij operacioni, janë mbyllur disa zyra të institucioneve paralele, përfshirë të ashtuquajturat “Zyra për Punësim”, “Zyra e Pensioneve” dhe “Ndërmarrja hoteliere Kopaonik”, ku operonin disa njësi të tjera brenda këtyre objekteve.
Autoritetet thanë se ky veprim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt sundimit të ligjit dhe integrimit të plotë institucional në gjithë territorin e vendit.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës së sotme, autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës./Koha.net