Kenia e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran me një vendim të nënshkruar nga presidenti William Ruto.
Kështu Kenia u bë shteti i 105-të anëtar i Kombeve të Bashkuara që njohu Kosovën.
Njohja e Kosovës vjen disa muaj pasi Serbia nisi një ofensivë diplomatike për ta parandaluar atë. Në tetor të vitit të kaluar, Tamara Vuçiq, gruaja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shkoi në Nairobi si pjesë e fushatës diplomatike të Serbisë.
Vizita e saj ishte e paparalajmëruar, gjë që nxiti më tej spekulimet se qëllimi i udhëtimit ishte pikërisht lobimi kundër njohjes së Kosovës, shkruan mediumi kroat index.hr, transmeton gazeta online Reporteri.net
Gruaja e Vuçiqit më pas mori pjesë në bisedime me kryeministrin kenian Musalia Mudavadi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, ku theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Kenias.
Përveç bisedimeve diplomatike, Serbia ka premtuar edhe ndihmë financiare për Kenian, duke përfshirë një donacion prej 150,000 eurosh për viktimat e përmbytjeve. Vuçiq ka vizituar edhe lagjen e varfër Mukuru në Nairobi, ku ka përcjellë mesazhin e “vullnetit të mirë” nga presidenti serb.
Gruaja e Vuçiqit ka vallëzuar me disa gra vendase në Kenia, vijon tutje artikulli.